10 gjëra që duhet të dini para se të vizitoni Shqipërinë
20 Mar, 2025
Po planifikoni një udhëtim në Shqipëri? Përgatituni për plazhe magjepsëse, male mahnitëse dhe një mikpritje të ngrohtë. Por përpara se të bëni gati valixhet, këto janë 10 gjëra që duhet të dini për ta shijuar në maksimum udhëtimin tuaj.
1. Shqipëria ka disa nga plazhet më të bukura në Evropë
Kur njerëzit mendojnë për plazhet më të mira në Evropë, zakonisht përmendin Greqinë, Italinë ose Spanjën. Por Riviera Shqiptare është një parajsë e fshehur që mund t’i rivalizojë të gjitha këto destinacione!
Nga ujërat magjike të Sarandës te bukuria e paprekur e Dhërmiut dhe Himares, bregdeti shqiptar ofron disa nga peizazhet më mbresëlënëse që do të shihni ndonjëherë. Nëse dëshironi të pushoni në plazhe me rërë të bardhë, të notoni në ujë të kristaltë apo të zbuloni gjire të fshehura, atëherë Riviera Shqiptare duhet të jetë në krye të listës suaj të udhëtimeve.
👉 Rezervo një udhëtim në Rivierën Shqiptare me Gjirafa Travel
2. Shqipëria është një destinacion i përballueshëm
Shqipëria është një nga destinacionet më ekonomike në Evropë, duke e bërë atë vendin ideal për udhëtarët që kërkojnë eksperienca të mrekullueshme me kosto të ulët. Akomodimi, ushqimi dhe transporti janë shumë më të lirë se në vendet fqinje si Greqia, Italia apo Mali i Zi.
Për shembull, mund të shijoni një vakt tradicional shqiptar për më pak se 5 euro, dhe një qëndrim i rehatshëm në një hotel ose guesthouse mund t’ju kushtojë vetëm 25 euro për natë. Edhe transporti është i përballueshëm, duke e bërë Shqipërinë një destinacion fantastik për udhëtim me buxhet të ulët.
3. Transporti publik është ndryshe, por funksionon!
Ndryshe nga shumë vende evropiane, Shqipëria nuk ka një rrjet të zhvilluar trenash. Në vend të tyre, vendasit dhe turistët mbështeten te autobusët.
Nëse planifikoni të udhëtoni midis qyteteve si Tirana, Saranda, Shkodra apo edhe Prishtina, më mirë të rezervoni biletën tuaj të autobusit online paraprakisht, për një udhëtim më të rehatshëm dhe të sigurt.
👉 Shikoni dhe rezervoni linjat e autobusëve me Gjirafa Travel
4. Gjithmonë mbani para cash me vete!
Edhe pse disa hotele, restorante dhe supermarkete të mëdha pranojnë kartat e kreditit, Shqipëria është ende një shoqëri kryesisht e bazuar në para cash. Bizneset e vogla, tregjet lokale dhe zonat rurale shpesh pranojnë vetëm para në dorë, kështu që është e rëndësishme të keni lekë shqiptare (ALL) me vete.
Bankomatet (ATM) gjenden lehtësisht në qytete, por është gjithmonë një ide e mirë të keni para me vete, sidomos kur vizitoni qytete më të vogla apo zona të largëta.
5. Shqiptarët janë jashtëzakonisht mikpritës
Një nga gjërat më të veçanta për Shqipërinë është ngrohtësia dhe mikpritja e njerëzve të saj. Shqiptarët e marrin mikpritjen shumë seriozisht nëse je mysafir, trajtohesh si pjesë e familjes.
Mos u habisni nëse një i panjohur ju fton për kafe, ju ndihmon me drejtimin apo madje ju fton në shtëpi për një darkë tradicionale. Mikpritja është një pjesë e pandashme e kulturës shqiptare, dhe vizitorët largohen shpesh me kujtime të bukura për bujarinë e vendasve.
6. Ushqimi shqiptar është i mrekullueshëm
Gatimet shqiptare janë një përzierje mesdhetare dhe ballkanike, me shumë shije autentike që duhet t’i provoni patjetër:
Byrek – Një petë krokante e mbushur me djathë, mish ose spinaq.
Tavë Kosi – Një pjatë tradicionale me mish qengji dhe kos, një nga ushqimet më të dashura në vend.
Peshk i freskët – Sidomos në qytetet bregdetare si Vlora dhe Saranda, ku mund të shijoni disa nga pjatat më të mira të peshkut në rajon.
Shqipëria ofron një eksperiencë ku çdo vakt është një kënaqësi më vete!
7. Po mendoni të merrni me qira një makinë? Bëhuni gati për aventurë!
Nëse planifikoni të merrni me qira një makinë për të eksploruar Shqipërinë, përgatituni për një eksperiencë unike drejtimi. Ndërsa rrugët kryesore janë të mirëmbajtura, zonat malore dhe rrugët rurale mund të jenë sfiduese.
Shoferet e makinave në Shqipëri mund të jenë të paparashikueshëm, dhe sinjalistika rrugore nuk është gjithmonë e qartë. Kjo është arsyeja pse për shumë turistë udhëtimi me autobus është një alternativë më e sigurt dhe më e thjeshtë.
8. Shqipëria është një vend me një histori dhe kulturë të pasur
Shqipëria është e mbushur me rrënoja antike, kështjella dhe vende të mbrojtura nga UNESCO, të cilat tregojnë një histori të gjatë dhe magjepsëse.
- Butrinti – Një qytet antik me rrënoja që datojnë nga koha greke dhe romake.
- Berati – I njohur si Qyteti i Një Mijë Dritareve, një perlë arkitekturore osmane.
- Gjirokastra – Një qytet historik prej guri dhe një tjetër vend i mbrojtur nga UNESCO.
Nëse jeni adhurues të historisë dhe kulturës, Shqipëria do t’ju mahnisë!
9. Aventurierët do të ndihen si në shtëpi
Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe aventurave. Nëse pëlqeni ecjen në mal, paragliding, rafting ose eksplorimin e natyrës së egër, ky është vendi i duhur për ju.
Nëse jeni dashamirës të ecjeve në natyrë, Parku Kombëtar i Valbonës ofron disa nga shtigjet më mahnitëse në Evropë. Nëse preferoni aventurat ujore, një udhëtim me varkë në Liqenin e Komanit është një përvojë e paharrueshme!
👉 Po shkoni në Valbonë? Rezervoni udhëtimin tuaj me Gjirafa Travel
10. Anglishtja flitet gjerësisht në zonat turistike
Edhe pse gjuha zyrtare është shqipja, shumë shqiptarë sidomos në Tiranë flasin anglisht apo italisht. Brezat e rinj janë veçanërisht të aftë në anglisht, duke e bërë komunikimin më të lehtë për shumicën e udhëtarëve.